Archive for September, 2010

“Bukë e kripë e dashuri” (D’amour et d’eau fraîche)-film francez me regji te Isabelle Czajka

Nje filozof aktual francez, tek libri i tij “Eloge de l’amour” shkruan : “Mendimi se sot, gjithkush sheh vetem dhe vetem punen e tij (pra te gjithe jemi individualista ne kulm), eshte tejet i perhapur. Por, dashuria (ekzistenca e saj), eshte nje kunderprove e fuqishme ! Dashuria eshte pikerisht besim tek rastesia !” (”La conviction est aujourd’hui largement répandue que chacun ne suit que son intérêt. Alors l’amour est une contre-épreuve ! L’amour est cette confiance faite au hasard !“).

Thua te kete patur pikerisht ne mendje kete ide (te shkruar ne kaq pak rreshta) regjizorja franceze Isabelle Czajka (”Viti ne vazhdim“, filmi i pare i te ciles me ka pas pelqyer shume !) kur ka realizuar kete film te dyte te saj ?? Dhe qe mund te permbidhet pikerisht me citimin e melartem ! Dhe qe eshte edhe me i mire se i filmi i saj i pare !  


8.0
 

Posted on 28th September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

“Poetry” - film jug-korean me regji te Lee Chang-dong

 ”Poetry” eshte historia e nje gjysheje jug-koreane, qe vendos te ndjeke disa kurse poezie, per here te pare ne jeten e saj. Ndodh nje ngjarje (nipi i saj adoleshent, bashke me disa shoke te tij, dhunojne nje shoqe klase, e cila vret veten pak dite me vone), gje qe ben te ndryshojne jo pak gjera ne kete pjese jete te mbetur te kesaj gjysheje…

Filmi trajton jo pak tema sociale gjate rrjedhes se tij : semundjen Alzheimer te gjyshes, dhunimin e adoleshentes,… etj etj etj, amà lindjen e poezise (qe eshte dhe objektivi kryesor i filmit), lindjen e poetikes, nuk e pashe gjekundi !! Shto ketu faktin qe aktorja kryesore (thuhet se eshte aktorja me e njohur jug-koreane : 300 filma ne karriren e saj !), më shume luante rolin e nje gjyseje, sesa ishte vetë gjyshja (shtremberimet e surratit te saj per tu dukur “gjyshe e dhimbshme” me benin nevrik ne çdo minute te filmit) .

Me erdhi keq qe filmi nuk me pelqeu deri ne kete pike; ketij regjizori i kam pas pelqy shume “Oasis” dhe jo pak “Secret Sunshine“). Lé pastaj që me kane ardh ne maje te hundes filmat jug-koreane ku dhunohen adoleshente (me sa duket, atje eshte kthyer ne sport kombetar kjo gje…)

3.5

Posted on 28th September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

“Step Up 3-D” - film amerikan me regji te Jon Chu

Kisha lexuar lart e poshte ne internet qe ky film ja vlente te shihej, per hir te perdorimit interesant të 3D. Argumenti i avancuar ishte nje far korrespondence midis kercimit (si formë artistike dinamike) dhe 3D (konsideruar si dinamikë e imazhit). Po mire, po shkojme e shikojme atehere !

Filmi fillon dhe, qe ne minutat e para, shihet nje djale i ri qe kercen rrugëve, e qe thote : “Pse, rrohet ne New York me 10 $ ne ditë ??”. Sigurisht qe nuk rrohet ! Dhe spektatori pret qe filmi te orfroje nje zgjidhje. Dhe qe ne esencë, eshte e meposhtmja : “shko ne nje konkurs te tipit “star academy”, tunde bythen dhe, po fitove, ja hodhe !”. Kaq i propozon filmi atij çunakut !

Ose thene ndryshe, nderkohe qe mileti nga halli tund menderen, zoteruesit (pronaret dhe zedhenesit e tyre - ne kete rast ata hollywoodianë) tallin menderen dhe zgjidhja me e thjeshte qe oftojne me cinizëm eshte “thelën me te madhe e kemi per vete, ju koken hengshi me njeri-tjetrin per ato pak thërime “.

Qe nga ai moment, pra ne krye te 20 minutave, une çava ferren nga salla e kinemase, sepse e mora “mesazhin” ! Dhe ajo qe mendoj per nje film te tille, edhe pse nje epitet i tille mund te ngjalle te qeshura, eshte : nje film dekadent dhe imoral.

Per 3D flasim nje here tjeter - tha

0.0

Posted on 28th September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

“Njerez dhe zota” (Des hommes et des dieux) -film francez me regji te Xavier Beauvois

  Filmi fitues i Cmimit te Madh te Jurise ne edicionin e fundit te festivalit te Kanës, tregon historine tragjike te 8 murgjve franceze ne nje fshat te humbur algjerian, ekzekutuar barbarisht nga ekstremiste islamiste, ne kulmin e luftes civile ne ate vend, dmth ne vitin 1996.

Mua me duket se ka nje problem jo te vogel me kete film (edhe pse, regjizori eshte nga te paktit kineaste te rinj franceze qe ka provuar te kete talent) : filmi nuk arrin te tejkaloje nivelin e cliché-se. Nese do merrja nje shembull, meqe mund te kete edhe lexues qe e kane pare tashme :
Njeri nga murgjit takon ne fillim te filmit nje vajze nga fshati. Diskuton me te per dashurine. Dhe kaq. Vajza pastaj nuk duket më ne film. Ku shkoi?? C’u bë me te ?? Me dashurine e saj ??
Shkurt, shumica e skenave mu duken ilustrative. Dmth cliché. Kjo si duket vjen nga fakti qe regjizori eshte treguar shume i kujdesshem me filmin, më shume i kujdesshem se ç’duhet. Kur ben nje film me nje teme te tille te forte (te themi - politike), gjeja me e mire per nje regjizor eshte qe ti infektojë imazhet e filmit me opnionin e tij, me pasionet e tij. Pra te mos realizoje imazhe neutrale, cliché, por imazhe te angazhuara artistikisht. Rrezik se do kisha preferuar qe filmin ta kish realizuar nje regjizor i talentuar (te themi keshtu), por pse jo besimtar (fetar). Biles po me kujtohet nje thenie e Serge Daney (kritik kinemaje) qe thosh se “nje imazh cliché, ne fakt, nuk eshte as imazh i vertete, as fallco. Eshte thjesht imazh statik“. Ndaj dhe filmi i Beauvois me dha pershtypjen e nje filmi statik, sepse imazhet e tij jane statike, qe nuk levizin. Gjynah, sepse subjekti i filmit eshte vertet pasionues… Por eshte mese evidente se regjizori ka hezituar midis realizimit te nje filmi intim (me buxhet te ulet), dhe nje filmi me buxhet te larte (siç eshte ne fakt dhe filmi ne fjale). Rezultati ka dale diçka midis mishit dhe peshkut… (imagjinoj se si do ta filmonte nje histori te tille Eugène Green, regjizori i “Murgeshes portugeze”… ).

ps: Lambert Wilson eshte tmerrsisht irritues : ne dy ore film, dy orë grimasë (shtremberim surrati). Si ne foton e meposhtme… :

5.5

Posted on 28th September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

Uncle Boonmee Who Can Recall His Past Lives - film tailandez me regji te Apichatpong Weerasethakul

                            

 Per t’ju rikthyer filmave te rinj ne kete rifillim sezoni :

Daja Boonmee, ai qe kujton jetet e kaluara“, filmi fitues i Palmes se Arte ne Kanë, ne 2010-en. Dhe qe prisja prej kaq muajsh per ta pare, per me teper qe filmat e ketij regjizori, Apichatpong Weerasethakul, i dua fort !

Por filmi me pelqeu shume me pak se sa e prisja : mu duk shume i “copezuar”, pa unitet stilistik dhe kur degjova nje interviste te regjizorit gjate te ciles ai thoshte se filmi permban ne vetvete 6 bobina, pra 6 stile te ndryshe (une dallova nja dy-tre), mu perforcua edhe me shume ndjesia qe perjetova gjate shikimit te filmit. Shto pastaj faktin qe ai e ka realizuar ate ne nje shtrirje kohore tmerresiht te gjate : 3 vjet !!! (sigurisht, jo per faj te tij, por per mungese mjetesh financiare). Dhe ne fakt, mendimi im eshte se regjizorit, ne nje fare menyre, i kish shkare filmi nga duart… .
Per shembull, pergjate nje skene, ne te njejten tavoline buke ftohen dy besime (croyance) : njera ne forme shpirti, tjetra ne forme reincarnacioni(misherimi). Po sikur nuk shkonte amà (ça ne le faisait pas). S’kam kurrgje kunder principit, po ja qe s’mu duk se funksiononte. Po pse s’funksiononte ? - sipas meje. Sepse nuk shpjegohej pse ! Pse njeri pershfaqej si shpirt (e shoqja), dhe tjetri si incarnacion ? (i biri, me duket). Tek ”Tropical malady”, kryevepra e ketij regjizori, vertet realja/imagjinarja nuk “shpjegoheshin”, por magjia funksiononte (ndofta dhe fale “ndarjes” se filmit ne dy pjese, e pranoj) : por amà habija ishte e bukur dhe e bukura ishte e habitshme ! Tek ‘Boonmee’… hiç ! Mu duk se ne vend qe ti shperthente (éclater) hapsiren dhe kohen, filmi i sheshonte, i hiqte kripën… Me nje fjale : vanitet.

Dhe meqe Mao thosh se “s’ka komunizem pa levizje komuniste” (qe ne rastin tone do te kontekstualizohej me “s’ka kinofili pa levizje kinofilike“), e lëviza edhe une menderen, dhe shkova per te riparë “Boonmee”. Shikim qe nuk ndryshoi fort opinionin tim nga ai i heres se parë, perveç perforcimit te pershtypjes se kontemplimit qetazi te nje filmi po aq kontemplativ (ne sensin jo fort pozitiv te fjales…).

nota ime per filmin : 6.7
 

Posted on 28th September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

4. filmat e Tarkovskit

 Per fat te mire, nje portret te gjate te regjizorit rus Andrej Tarkovski e kam shkruar dikur ketu, ndaj nuk ja vlen per tu ndalur ne anen biografike te vepres tij. Nese do kish diçka qe do shtoja, do kish te bente me atë se si ka ndryshuar perceptimi i filmave te tij ne syte e mi, ne keto 10 vite harlisjeje timen kinematografike.

Mendimi im eshte se ka nje ndryshim aspak te neglizhueshem midis 5 filmave te pare te Tarkovskit, (realizuar ne Bashkimin Sovjetik) ne 20 vitet e para te krijimtarise se tij (ndermjet viteve 1960 dhe 1979 - “Ivan’s childhood”, “Andrej Rublev”, “Solaris”, “The mirror”, “Stalker”) dhe dy te fundit, “Nostalghia” dhe “The sacrifice” - realizuar gjate peridhes 1980- 1986, vite te mërgimit te Tarkovskit neper Europe. Sipas meje, problemi qendron pikerisht tek keta dy te fundit te cileve, ne ndryshim me 5 te parët (te cilet perbejne dhe trungun e vepres se regjizorit ne fjale), u mungon diçka nga magjia tarkovskiane. Kjo diçka, gjithmone sipas meje, ka te beje me faktin qe tek “Nostalghia” dhe “The sacrifice”, Tarkovski bie ne manierizem, pra “il fait du beau avec du beau” (ben art nepermjet artit), e nderton te bukuren nepermjet te bukures. Biles nese do te aventurohesha ne hipotezen time, do thoja qe nese Tarkovski do kish vazhduar te jetonte edhe pas renies se komunizmit ne Bashkimin Sovjetik, do kish realizuar filma te keqinj, reaksionare, kryesisht te natyres spiritualisto-patetike : ne dy filmat e fundit ne fjale, per fat te keq, keto elemente jane tashme jo pak prezente….

Keshtu qe te flas per filmat e Tarkovskit, i bie te flas mbi te gjitha per 3 nga filmat e tij te realizuar ne Bashkimin Sovietik, per “The Mirror” (Zerkalo - “Pasqura”) - per mendimin tim filmi me i bukur auto-biografik i realizuar ndonjehere; per “Stalker” - filmi me i bukur n’bote, dhe “Andrei Rublev” - nje nga dy-tre filmat me te mire biografike te relaizuar ndonjehere ne kinematografi. Sa per “Ivan’s childhood” (femijeria e Ivanit), mendoj se nuk i kalon kufijte e kuriozitetit si filmi i pare me metrazh te gjate i regjizorit, ndersa per “Solaris” do mjaftonte te thuhej se vete regjizori nuk kish qejf te fliste per të…
Siç shprehem me lart, “Stalker” eshte per mua filmi me i bukur ne bote ! Sa here e kam parë, kam patur te njejten ndjesi : me eshte dukur sikur e shikoja per here te pare ! Per fat, nje here te vetme e kam pare edhe ne ekran kinemaje !!

Stalker” (jo rastesisht titulli i filmit mban emrin e personazhit kryesor, nderkohe qe fare mire filmi mund te titulloj “Zona”) eshte himn i Tarkovskit per ate qe personifikon pikerisht personazhi i tij kryesor, Stalker-i dora vetë. Njeri i rendomtë, i zakonshem, jo ndonje inteligjence e veçante (duhet bere kujdes ç’thote e shoqja e tij ne fund te filmit, kur ajo i drejtohet kamerës dhe i flet vetë kamerës (dmth, spektatorit) )

Skena kyç (”mesazhi” i Tarkovskit - po e them keshtu…), eshte kur Stalker, andej nga mesi i filmit, i hap zemren dy bashkudhetarëve te tij e u flet per mendimet e tij mbi boten dhe njeriun. U thote qe njeriu, kur eshte femi, i njomë, eshte i brishte, delikat; kur plaket, behet si ajo pema, ashpersohet, ngurtesohet. U thote :

“... Let everything that’s been planned come true. Let them believe. And let them have a laugh at their passions. Because what they call passion actually is not some emotional energy, but just the friction between their souls and the outside world. And most important, let them believe in themselves. Let them be helpless like children, because weakness is a great thing, and strength is nothing. When a man is just born, he is weak and flexible. When he dies, he is hard and insensitive. When a tree is growing, it’s tender and pliant. But when it’s dry and hard, it dies. Hardness and strength are death’s companions. Pliancy and weakness are expressions of the freshness of being. Because what has hardened will never win…“.

Stalker (personazhi) eshte toleranca, fragiliteti, butesia, njerezorja. Atij ja kushton filmin Tarkovski. Dhe jo rastesisht i ben nje dhuratë : nje njeri kaq i rendomte, ka sjelle ne jete nje vajze qe vertet eshte me te meta fizike (handikape), por qe ka dhunti hyjnore (skena e fundit e filmit) !

- Sa per “Zonën” : ne fakt, “Zonën” nuk e ka krijuar Stalkeri. Që ne fillimte filmit, mund te lexohet nje tekst qe shpjegon se ka ndodhur nje katastrofë berthamore (obsesioni i Tarkovskit me luften atomike, tipike e viteve ‘70, kur u realizua filmi) apo nje katastrofe nderplanetare (nje meteor ka rene mbi toke… diçka e tille, - “por dhe une vete nuk e di mire“- thote teksti).
Tarkovski niset nga ky fakt, e merr ate si te mirëqënë, dhe ngré historine e tij me “stalker”.

Natyra : natyra eshte “personazh” më vete në film. Biles ka nje detaj te hatashëm: natyra e “Zonës” ndryshon ne funksion te “humorit”(te sjelljeve) te dy vizitorëve (shkrimtarit dhe fizikantit). Kur ne fillim te filmit njeri nga te dy tenton t’i afrohet “dhomës” duke i rënë shkurt, natyra egersohet, fillon era… etj etj. Ne fund fare, kur te tre ndodhen dy hapa larg dhomës dhe nuk sherrosen më (ulen kembekryq), nje shi i mrekullueshem qe zgjat 5 minuta rrjedh pa pushim si per te thene: “Zona po shfryn gjithe ç’hoqi nga dy njerez pa din e pa iman (qe nuk besojnë…)”.

Ka shume gjera per te thene per “STALKER”-in e famshem, sepse eshte nga ato filma qe sot, s’ka regjizor ne bote qe do mund ta bente ose qe do guxonte ta realizonte (do te etiketohej menjehere si “megalloman”, “pretencioz”, … biles patetik !). Shkurt, eshte si puna e te shkuarit ne Hënë: sot, askush nuk imagjinon te rishkohet perseri ne Hënë ! Pse ? Sepse ashtu sikunder ne Hënë njeriu shkoi ne nje periudhe precize te Historise se njerezimit, ashtu edhe ‘STALKER’-in, Tarkovski e realizoi ne nje periudhe precize te krijimtarise se tij. E ka bere ne vitin 1979. Para tij, ne te njejtin dhjetevjeçar, më ekzaktesisht ne 1971, Tarkovski realizoi SOLARIS, per te cilin siç thashe me lart, ai vete ka qene shume kritik (e qe pa dyshim, eshte ndofta filmi me i dobet i Tarkovskit), ndersa ne 1974-en, pat realizuar “Zerkalo” (”pasqura”). Pikerisht, ne kohen ndermjet “pasqyres” dhe “stalker”-it Tarkovski formuloi ne menyre precize mendimin e tij estetik per kinemane (ne libri “Koha e skalitur”),gje qe ndihmon per te kuptuar më mire STALKER-in, nga ana artistike.

Më konkretisht :
“STALKER” ka nje ritëm hipnotik, disi “te ngadalshem”, por si marramendes, si “te çuditshem”. Pse ? Sepse Tarkovski, gjate atyre pese viteve (’74-79), ne librin e tij ” koha e skalitur”, percaktoi elementin baze ne nje film, qe ai e quaji figure kinematografike. ç’fare eshte ky element baze, sipas Tarkovskit ? Sipas tij, ky element baze eshte koha, por JO ne sensin e pseudo-ritmit artificial nepermjet montazhit, kolazhit, por koha qe rrjedh qofte edhe brenda nje plani filmik te vetem, pra si kohe organike. Sipas Tarkovskit, koha, ritmi ne nje film NUK rrjedh falë montazhit, por rrjedh perkunder tij ! Montazhi sherben veçse per te organizuar strukturen e filmit, per te “bashkuar” pjesezat e tij, por me kusht qe në secilen “pjesez” koha te ushtroje tashmë presionin e saj. Ndaj dhe filmi te jep pershtypjen e nje filmi “aventure” por… te ngadalësuar ! Dhe pikerisht, kjo diference tempo-je, ritmi, ndryshon gjithshka dhe e ben filmin te jete ai qe eshte : hipnotik !

Ka dhe ca gjera te tjera per te thene. psh, “STALKER” eshte nje film qe po ta vesh ré me kujdes, te tre personazhet kryesore meshkuj formesojne nje “trup” te vetem, nje trup me tre koka (si te thuash). Dhe meqe mungon prezenca femerore pothuaj gjate gjithe filmit, hapsira perpara se te shkojne tek “Dhoma e Dëshirave” ka forma te buta femerore (fotoja). Sikur Tarkovski do te na thote: “Kur s’ka femer, ajo eshte gjithandej, eshte vete natyra !“.

Nga ana tjeter, më duket se nuk duhet me u ngut me i paragjyku personazhet e filmit. Fundja, edhe shkrimtari, edhe fizikanti, terhiqen, nuk kryejne ndonje akt final te pa-riparueshem. Asnje nga personazhet nuk duket te jete i denuar paraprakisht nga skenari (dmth, nga regjizori qe eshte dhe skenarist). Shkrimtari, vertet alkolik, por nganjehere shfaq edhe ndershmeri dhe mendjendritshmëri. Po ashtu fizikanti (profesori), motivet e te cilit per te atomizuar “Zonën” fundja, jane motive nobël.

In fine, pas kaq heresh qe e kam pare, filmi duket te jete nje parabolë morale mbi humbjen e besimit (sigurisht, jo vetem atij fetar, religjioz, por BESIMIT, ne sensin filozofik) nga ana e njeriut modern. Jo rastesisht “Stalker” eshte, te pakten ne aparence, i zhanrit fantastiko-shkencor !

Ajo qe eshte interesante eshe fakti qe, e besojme apo jo mitin e kesaj “Zone” (dhe te te famshmes “Dhomë te deshirave te realizueshme” qe ndodhet ne fund te Zonës), filmi mbetet i mrekullueshem, magjepes. Pra si te thuash, me duket se ‘Stalker’ e tejkalon te verteten skenaristike, “fantastiko-shkencore” (”ka apo s’ka “Zonë“, “ t’i realizon apo jo Dhoma dëshirat“…), stad ne te cilin do mbeste çdo film i rendomte i ketij zhanri. Filmi e tejkalon kete stad banal te se “vertetes” skenaristike, duke u kthyer ne poeme filozofike. Ne poemen me te bukur, per mua, bere ndonjehere ne kinematografi !

top-5 i preferencave te mia per filmat e Tarkovskit :

1. ‘Stalker
2. ‘Zerkalo’ (the mirror)
3. Andrei Rublev

4. The sacrifice
5. Ivan’s childhood

 

Posted on 2nd September 2010
Under: Te ndryshme | 5 Comments »

3. filmat e Eric Rohmer (France)

 Eric Rohmer (emri i vertete i te cilit eshte Jean-Marie Maurice Scherer) ka vdekur kete vit (2010) dhe eshte ne fakt, babai i vertete i “nouvelle vague”-s franceze, te viteve ‘60. E ka pas filluar si shkrimtar, ne vitet ‘50, e me pas si kritik, kur dhe krijoi revisten e famshme “Cahiers du Cinéma”, tribuna e “vales se re” franceze qe po lindte asokohe.

Jo pak prodhimtar (26 filma ne 50 vite karriere), deri ne moshe te thyer, 90 vjeçare, kur dhe mbylli syte, filmat e tij (tek te cilet, eshte vete skenarist e vete regjizor, pa asnje perjashtim), ndahen ne kater grupe :

- Grupi i pare me 6 filma (1960-1972) qe i perkasin “Rrefimeve morale” (Contes moreaux)
- Grupi i dyte me 6 filma (1977-1987) qe i perkasin “Komedive dhe proverbave” (Comédies et proverbes)
- Grupi i trete me 4 filma (1990-1998) qe i perkasin “Kater stineve” (Contes des quatre saisons)
- Grupi i katert me 3 filma (2000-2007) - nje triptik prej 3 filmash, kryesisht te natyres historike.

Duhet theksuar se filmat e secilit “grup”, nuk kane te bejne asfare me njeri-tjetrin, edhe pse, ne vepren totale te regjizorit, ka nje koherence impresionuese : behet fjale per personazhe qe duhet te marrin nje vendim, duke i “gjetur” argumetet tek imagjinata (imaginary) e tyre. Pra superpozohen dy hapsira, objektivja (relaiteti qe na pershkruan kamera) dhe subjektivja, qe ndertohet ne menyre imagjinare nga personazhi kryesor. Per Eric Rohmer, ne ndryshim nga letersia, muzika apo piktura, kinemaja nuk eshte arti i sugjerimit apo metafores, por ai i percaktimit : filmat e tij perdorin te gjitha burimet e dualitetit imazh-zë, obktivitet-subjktivitet, vertetesi-genjeshter.

Kur Rohmer vdiq, nje aktor fetish i tij, Fabrice Luchini, me kujtohet te kete thene ne TV qe “Rohmer ishte ndofta regjizori më i lirë francez“. Duhet te kete patur fort te drejte, sepse prodhimi i filmave te tij, i neshtrohej nje disipline qe nuk gjen rast te dyte ne kinemane franceze : nje publik konstant, besnik, as shume i madh, por as edhe shume i vogel, gje qe e lejonte regjizorin te amortizonte shpenzimet e filmave te tij dhe te siguronte vazhdimesine relativisht te rrjedhshme te vepres se tij (ne nje fare menyre, si rasti i Woody Allen ne USA, perjashto kete periudhen e fundit europiane).

Pse i dua kaq fort filmat e Rohmer-it ?

Temat kreysore te filmave te tij jane kryesisht genjeshtra, mekati (jo ne sensin fetar, por filozofik), morali. Behet vertet fjale per moralin, ne filmat e tij. Por jo per ate moralizues, por per nje tjeter : per ate moral qe interesohet per pikturen e zemres njerezore, humane. Ne fund te filmave te Rohmer, pa dhe nje perjashtim te vetem, une si spektator, jam ndjere gjithmone “i kapur mat” (to be revealed), i revelacionuar veçse prej … DASHURISE !

Ose, ne se do ta permbidhja me nje shprehje te vetme : filmat e Eric Rohmer me kujtojne vargun e famshem te Arthur Rimbaud :
Ah ! Que le temps vienne
Où les cœurs s’éprennent
“.

(Ardhte ajo kohe, kur zemrat bien ne dashuri !)

top-5 i filmave te mi te preferuar nga ky regjizor :

1. Le rayon vert (Rrezja e gjelber - aka “summer“) - 1986
2. Ma nuit chez Maud (Nata ime tek Maud - aka “My Night at Maud’s”) - 1969
3. Pauline à la plage (Paulina ne plazh - aka “Pauline at the Beach”) - 1983
4. Les amours d’Astrée et de Céladon (Dashurite e Astresë dhe Celadonit - aka “Romance of Astrea and Celadon”) - 2007
5. Le genou de Claire (Gjuri i Klares - aka “Claire’s Knee”) - 1970
     

Posted on 2nd September 2010
Under: Te ndryshme | No Comments »

2. Filmat e Antonioni-t :

 Nese eshte Pasolini ai qe “më flet” me filmat e tij më shume se regjizorët e tjere, Michelangelo Antonioni-n (nje portret i tij eshte ketu ) do ta vendosja te dytin per nje arsye krejt tjeter : novatorizmi kinematografik i tij më ka mrekulluar sa here kam pare a ripare punët e tij !

Do ta ilustroj kete me nje histori te vogel qe kam lexuar ne biografine me te fundit kushtuar Jean Luc Godard-it, botuar keto kohe ne France :
Jemi ne 1962. Godard ka tronditur boten e kinemase, me filmin e tij te pare fare “A bout de soufle” (Breathless) - 1959, dhe ai vete konsiderohet si “kapobanda” i “Nouvelle vague” (”Vales se re”) franceze, qe ben po aq buje sa dhe Neo-realizmi italian, pikerisht nga e cila, djemt e rinj parizianë kane marre huà babain e tyre shpirteror, dmth Roberto Rossellini-n. Keshtu qe, asgje më e natyrshme per Godard-in te ftoje ne 1962-shin, ne Paris, “babain” e tij - dmth Rosellinin -, per ti treguar vepren e tij te re per te cilen eshte aq krenar : “Vivre sa vie” (My Life to Live), ne nje mbremje speciale enkas per mjeshtrin e madh italian. Deri ketu, gjithshka shkon mire.
Ne fund te filmit, Rossellini nuk pipetin asnje fjale. As per mire, as per keq. E njejta gje te nesermen : asnje levdate, asnje kritike, deri ne momentin qe Godard percjell me makinen e tij per ne aeroport “babain” e tij shpirteror. Andej nga gjysma e rruges (historine e tregon sot nje person i trete, i ndodhur ne veture), me ne fund Rossellini hap gojen dhe leshon fjaline e tmerrshme, qe per pak u kushtoi jeten te treve (Godard, qe eshte ne timon, i traumatizuar nga ajo qe i degjojne veshet, per pak sa nuk ben aksident !) : “Jean Luc, - i thote Rossellini, - paske filluar te biesh ne Antonionizëm… !“.

Dhe kjo e ka nje shpjegim : Antonioni kish realizuar ne 1960-en filmin e tij te famshem “L’Avventura”, pritur keq jo vetem nga publiku i Kanës, por dhe nga elitat kinematografike te kohes, ose thene shkoqur nga Rossellini me shokë, te cilet e konsideronin ate, kryesisht per nga ana e formes, si film-imposture, si shtirje kinematografike. Dhe “Vivre sa vie” i Godard-it eshte fiks i 1962-shit, dy vite me pas ! Dhe eshte evidente ndikimi antonionian ne filmin e francezit : Rossellini nuk ishte gabuar, edhe pse e thoshte kete gje ne sensin pejorativ !

Edhe pse kemi diskutuar tashme per “L’avventuren” e Antonioni-t, sidomos per formen e tij, nese do ta permblidhja me dy fjale, risia e atij filmi ishte përurimi qe ai i ben asaj qe Deleuze e quan “imazh-kohe”, ne ndryshim total me “imazhin-veprim”, me te cilin ishte mesuar deri asokohe tradita kinematografike (edhe pse, elemente te “imazhin-kohe” ekzistonin tashmë ne jo pak filma te meparshem, qe nga ata te Jean Vigo e deri tek Ozu e Mankiewicz). Por pa dyshim, “L’Avventura” e Antonionit eshte inaguruesi i Madh i modernitetit ne kinema, modernitet te cilin regjizori nuk pushoi, nga filmi ne film, së çuari ne maja edhe me te larta.

Dhe diçka te rendesishme ne fund : Antonioni edhe pse vdiq veçse para tre vitesh, de facto ka pushuar se beri filma qe ne 1982, me “Identificazione di una donna” - capolavoro ! Qe prej 1985-s dhe deri kur vdiq ne 2007-n, ka qene i paralizuar. As per te folur, nuk fliste. Nje gafë e madhe e tij ka qene qe pranoi qe gjermani Wim Wenders te drejtonte, ne 1995-n, me demek nen mbikqyrqjen e Antonionit (mbikqyrje i thençin ! - gjeniu italian “drejtonte” nga karrikja e handikepit…) filmin “Al di la delle nuvole” (nje zero me xhufke !!), gje qe i vesh atij filmi, de jure, autoresine e Antonionit. Ndaj dhe them me lart se, Antonioni e ka mbyllur realisht, de facto, karrieren e tij qe ne 1982-shin, me perlën “Identificazione di una donna” (dhe pike).

top-5 te preferencave te mia per filmat e tij :

1. L’avventura - 1960
2. Professione : reporter - 1975
3. Il deserto Roso - 1964
4. Identificazione di una donna - 1982
5. Zabriskie Point - 1970

bo booo, ngelen jasht “Blow up” dhe “L’eclisse” ! …

Foto nga 5 filmat e lartpermendur :

  

Posted on 2nd September 2010
Under: Te ndryshme | 5 Comments »

Filmat e regjizorëve qe nuk jane më në këtë botë…

Ja 5 te preferuarit e mi :

1. Filmat e Pasolinit

Nese do me detyronin te zgjidhja me patjeter nje dhe vetem nje regjizor te preferuar timin (gjithmone prej atyre qe u ka shkuar shpirti ne parajse), do zgjidhja italianin Pier Paolo Pasolini dhe filmat e tij.

Nje portret te tij e kam pas shkruar ketu (me kujtohet fort mire qe ne nje pjese te madhe, portretin e tij e kish pergatit peoples), ndaj nuk po ndalem tek personaliteti i tij. Por po flas te pakten per nje film, qe eshte domethenes per krijimtarine e gjeniut italian, per “Ungjillin sipas Shen Mateos” (Il vangelo secondo Matteo) - 1964.

  Bazuar tek Bibla, kush nuk ka bere film mbi jeten e Jezu Krishtit : duke filluar nga ata te Cecil B. De Mille (ne vitet ‘20), vazhdo me mediokritetin scorcesian “The Last Temptation of Christ” (1988), e per te mberritur tek shemtia e shemtirave e Mel Gibson-it “the passion of the christ“(2003).

Sa here e kam pare “Ungjillin sipas Mateut” te Pasolinit (e kam ne dvd : duhet ta kem pare mbi 5-6 here, pa numeruar shikimin e fragmenteve te shkeputura…), me ka lind automatikisht ne mendje pyetja : si ka mundesi qe vetem Pasolini ja del te më prekë, me historine e Jezusit te Nazaretit ???

Jo rastesisht e zgjodha kete film, per te thene diçka per Pasolinin. Sepse, duke qene se filmi tregon historine më te rrefyer te historise se njerezimit (te pakten te asaj judeo-kristiane), kthehet ne shembullin par excellence qe konfirmon se, ne kinematografi, bukuria si kategori estetike e sociale, nuk ka fort te beje me origjinalitetin e historise, pra me ngjarjen qe tregon filmi, por me 1001 gjera te tjera, qe permbledhtazi mund ti biem shkurt e ta quajme art. E qe sigurisht, e gjejme tek Pasoloni, qe ne filmin e tij, eshte ekzaktesisht antiteza, e kunderta e atij te bere nga Mel Gibson ! Estetikisht, moralisht, artistikisht… FIKS e kunderta !

Do doja shume te shkruaja diçka edhe per nje tjeter film te tij, “Salò o le 120 giornate di Sodoma“, nje nga eksperiencat e mija personale më autentike ne kinema : ne nje sens tjeter ndofta, por po aq remarkable sa dhe “Ungjilli sipas Mateos”. Pa harruar “Accattone”-n, filmin e tij te pare, per te cilin kam nje afeksion qe… nuk gjej fjale ta them !
(me vjen ne mend korçari, qe pat shkrujt dikur ne nje postim te tij : “Në kinematografi, ka patur dy poetë : Murnau dhe Pasolini. Te tjeret jane mjeshtra te medhenj”. S’kam si te jem më dakort me kete !!)

Per ta çuar ‘lojen’ deri ne fund, duhet bere edhe nje top-5 te preferuarve te mi te Pasolinit :

1. Il vangelo secondo Matteo (1964)
2. Salò o le 120 giornate di Sodoma (1975)
3.Accattone (1961)
4. Mamma Roma (1962)
5. Décameron/Canterbury/Il fiore delle mille e una notte

Foto nga : “Accattone” (majtas) dhe “Salo”.

 

Posted on 2nd September 2010
Under: Te ndryshme | 2 Comments »

Login     Film Journal Home     Support Forums           Journal Rating: 4/5 (2)